Frang Bardhi (1606-1643) nga Kallmeti, ipeshkëv i Sapës (Zadrimës), është autori i më të parit Fjalor latinisht-shqip (Romë,1635) me rreth 5 mijë fjalë dhe i Apologjisë për Skënderbeun (Venecia, 1936), shkruar në latinisht. Pjetër Zarishi (1806-1866) prift nga Blinishti i Zadrimës, i doktoruar për teologji, është ndër poetët nismëtarë të Rilindjes sonë Kombëtare së bashku me franceskanin Leonardo De Martinon (1830-1923). Ky i fundit ishte arbëresh nga Grecia e Pulies (Itali), por jetoi në Lezhë dhe rrethinat e saj për mëse 30 vjet ku shkroi edhe pjesën më të madhe të vargjeve që u përmblodhën në librin voluminoz Harpa e një italo-arbëreshi (Venecia,1881).
Për Lezhën Zarishi shkruan se prodhon “gjithçka asht nevoja e njeriut me jetue”, ndërsa De Martino në gojën e Zogut në Kafaz jep figurativisht gjendjen e rëndë të shqiptarit në robëri: ”Jo këtu s’muj me këndue/ Se kam zemren kah pelcet”. Dëshmi kulturore është edhe vepra e èèAli Ulqinaku ++t (1855-1913). Ai ishte lindur në Ulqin dhe u caktua hoxhë në qytetin e Lezhës me të mbaruar Medresenë e Shkodrës. Shkroi dy vëllime me poezi me alfabet arab dhe la në dorëshkrim Fjalorët turqisht-shqip, shqip-turqisht, të parët e këtij lloji në leksikografinë shqiptare dhe turke. Zotëronte disa gjuhë orientale, por deklaronte se “gjuha ime asht shqipja”. Me leksikologji u muar edhe Nikollë Gazulli (1894-1946), lindur në Dajç të Zadrimës ku mori edhe mësimet e para prej Ndre Mjedës, ndërsa studimet e larta teologjike i kreu në Austri. Veprat: Fjalori i fjalëve të rralla të malësive veriore (1941) dhe Fjalorthi i ri (1941).
I lindur në Fishtë dhe nxënës i kolegjit të Troshanit (të dy fshatra zadrimorë në rrethinat e Lezhës), është poeti Gjergj Fishta (1871-1940). Vargjet e tij, ndonëse të ndaluara rreptësisht për gati një gjysmë shekulli, janë përcjellë gojë më gojë duke u deklamuar në tubime familjare apo duke u kënduar me lahutë e çifteli deri në skena masive. Duket si i pabesueshëm ky recepsion “letrar”, por kushdo që i ka shkelur këto treva e më gjerë, patjetër që ka takuar njerëz të thjeshtë që dinë përmendësh të 17 mijë vargjet e Lahutës së Malcis. Poezia e Fishtës jeton ende në këtë mënyrë me lexuesin e vet. Këtë fenomen të dimensioneve homerike vepra e Gjergj Fishtës e ka përjetuar çuditshëm në gjysmëshekullin e njëzetë, edhe kur mjetet e propagandës u përpoqën me sa fuqi patën ta bënin të harruar, armiqësore e dëshmi fajësimi politik. Për Lezhën ai ka shkruar: “Qielli i kaltër, toka e blerë,\Njeti dimen, këtu pranverë”. Përveç Lahutës, Gjergj Fishta është autor i shumë veprave, ndër të cilat: Mrizi i Zanave, Vallja e Parrizit, Anzat e Parnasit, Gomari i Babatasit, Juda Makabe, Jerina, Sh'Francesku i Asizit, Sh'Luigj Gonzaga etj.
Nga gjiri i këtij populli, që jeton me poezinë edhe kur atë ia ndalojnë, kanë dalë poetë bashkëkohorë të talentuar. Ata i bashkon vokacioni tradicional i përjetimit poetik, por dallohen nga teknikat origjinale, ndjeshmëria leksikore dhe nga mënyra se si e përthithin poezinë moderne, prandja janë quajtur nga kritika e viteve ‘70-‘80 “fenomeni novator i poetëve lezhjanë”. Po kështu, një plejadë publicistësh lezhjanë, veçnërisht, të pas viteve ’90, i kanë dhënë tonet medias bashkëkohore shqiptare. Gazeta më parë e pavarur në Shqipërinë paskomuniste është “Koha Jonë”, që nismat i ka në Lezhë. Sot Lezha ka disa periodikë lokalë, shtypshkronjë dhe një numër shtëpish botuese, ndër të cilat: Lisitan, Gjergj Fishta, Kuvendi etj. Ka bibliotekën me mjedise komode, Galerinë e Arteve Pamore (Pallati i Kulturës) dhe një Galeri private “Studio Art Përvathi” etj.